Forumi online i kompanive më të mëdha të sigurisë në rajon

Drejtori Gjeneral i BESA SECURITY, z. Granit Hasani, perfaqësoi Kosovën në forumin e organizuar online së bashku me liderët e industrisë së sigurisë nga: Bosnia dhe Herzegovina (njëherit edhe origjina e organizatorit), Sllovenia, Kroacia, Maqedonia Veriore, Serbia dhe Mali i Zi.

Në këtë forum pjesëmarrësit kanë prezentuar dhe diskutuar se si pandemia e COVID-19 po ndikon në industrinë e sigurisë, si po adaptohemi në këtë situatë si kompani si dhe shërbimet dhe produktet që i ofrojmë gjatë kësaj situate.

Në vijim gjeni fjalimin e z. Granit Hasani:

Të nderuar organizatorë të forumit online, të nderuar panelistë, të nderuar kolegë, të nderuar mysafirë që po na ndiqni online,

Së pari shpresoj që ky forum t’ju gjejë me shëndet të mire dhe gjendje të mire emocionale gjatë duke i marrë parasysh këto rrethana të vështira. Të gjithë jemi duke u ballafaquar me shumë pasiguri gjatë kësaj kohe të pandemisë globale. Po ashtu, jemi të sigurtë se kjo pandemi ka pas ndikim në të gjitha aspektet e shoqërisë, duke e përfshirë edhe industrinë e sigurisë.

Së dyti, dua t’i falënderoj organizatorët A&A Adria Magazine që i rrijnë gati organizimeve dhe na sjellin së bashku që të mësojmë më shumë nga njëri tjetri dhe t’i ndajmë eksperiencat nga të cilat mund të përfitojmë.

Së treti, dua të ju informoj se kompania jonë ka marrë masa mbrojtëse shumë herët duke mësuar nga partnerët në regjion, të cilët i ndanë me neve vështirësitë e operimit si kompani të sigurimit.

Prandaj, ne kërkuam takim me Policinë e Kosovës, departamentin e planifikimeve dhe operativës, ku i shfaqëm shqetësimet tona në lidhje me vështirësitë e lëvizjes së stafit. Ne ua përcjellëm listën e stafit atyre dhe deklaruam që i tërë stafi ynë do të pajiset me produkte mbrojtëse. Pas kësaj, ne morrëm lejen e lëvizjes. Por çdo gjë tjetër ishte në rregull dhe u menaxhua mirë në të gjitha aspektet nga Ministrat aktual.

Pavarësisht kësaj, ne kemi liruar një pjesë të stafit me pushim me pagesë, e po ashtu kemi ndërprerë dhe kemi humbur disa kontrata, që solli një barrë në buxhetin e kompanisë.

Tani, dua t’i adresoj disa nga pyetjet orientuese të cilat i kanë përcjellur organizatorët.

P1 – Ekonomia ka stagnuar dhe shumë kompani nuk lejohen që të vazhdojnë operimin gjatë pandemisë. Cilat tregje vertikale janë prekur më së shumti? A jeni ballafaquar me ndërprerje apo vonesa në projekte dhe investime?

– Në Kosovë, dyqanet me pakicë përveç atyre ushqimore, farmacive dhe furrave të bukës janë prekur më së shumti. Zakonisht në këto dyqane ne kemi të instaluar sisteme të alarmit të cilat i monitorojmë poashtu. Ato tani janë të mbyllura dhe vazhdimisht pyesin se a bën të mos paguajnë apo së paku të iu shtyhen pagesat. Në anën tjetër, jemi të obliguar që të vazhdojmë t’iu ofrojmë shërbimet e sigurisë duke i monitoruar sinjalet, me patrulla, e po ashtu me intervenime në rast të alarmit. Po ashtu, në këto dyqanë vazhdimisht kemi instaluar kamera të sigurisë për herë të parë apo kemi qenë duke i zëvendësuar ato analoge me sisteme të IP, projekte të cilat janë pauzuar për më shumë se një muaj e gjysmë.
– Projekte tjera ku jemi prekur janë tenderet në institucione ku dëshiroj t’i përmendi dy raste: njëra në një institucion ku jemi kontraktuar të instalojmë sisteme të sigurisë së bashku me kontroll të çasjes. Këtu kemi pas mundësinë në fillim të Marsit të instalojmë një pjesë, mirëpo pjesa me kontroll të çasjes ka mbetur e papërfunduar për shkak të pamundësisë së furnizimit me kontroll të çasjes nga prodhuesi për shkak të Koronavirusit. Projekti tjetër është mirëmbajtja e kamerave të sigurisë të një institucionë në të gjitha lokacionet e tyre në Kosovë. Prap, nuk kemi pas mundësi që të bëjmë servisimin dhe mirëmbajtjen për shkak se klienti nuk kishte dashur kontakt me jashtë gjatë kësaj periudhe pandemie.

P2 – A keni hasur në probleme të furnizimit me produkte mbrojtëse nga furnizuesit apo prodhuesit?

– Fatmirësisht në fund të Shkurtit 2020 ne jemi pajisur me dezinfektues në objekt ku filluam t’i përdorim në hyrjet e ndërtesës dhe zyreve. Mirëpo, çmimet filluan të ngriten jashtëzakonisht shpejtë për produktet mbrojtëse ndaj COVID-19. Mirëpo, Agjencioni Kosovar i Konkurrencës së bashku me Administratën Tatimore morrën masa të shpejta dhe filluan ti gjobisin furnitorët nga 6 deri në 30 mijë Euro. Kështu që çmimet filluan të zbresin prap.
– Përveç kësaj, Besa Security që nga 26 Shkurti 2020, për 1000 punëtorët tanë, ka porositur 1000 maska shumë-përdorimshe, me filtera të testuar. Mirëpo pasi që këto maska i kemi marrë nga një furnitor, u desht që ti pranojmë porositë pjesë-pjesë. Kjo na rriti shpenzimet pasi që në ndërkohë është dashur t’i pajisim rojet dhe patrullat me maska një-përdorimshe.
– Po ashtu, të gjitha veturat e njësiteve të Besa Security (TPG, Patrulla, Teknikët) janë të pajisura me sprej dezinfektues si dhe faculeta dezinfektuese, e krahas këtyre pjesëtarët u pajisën me maska dhe dorëza një-përdorimshe. Po ashtu vlen të përmendet se këto ekipe janë të pajisura me vitamina me përbërës natyral me vitamin C dhe D, e që kanë 11 benefite tjera për imunitet.

P3 – Për shkak të reduktimit të të ardhurave apo inkasimit më të vështirë, kompanitë janë detyruar të ofrojnë shërbime shtesë që të gjenerojnë profite më të mëdha gjatë kësaj situate emergjente. A keni ofruar ndonjë shërbim të ri, trajnim online, etj?

– Në fakt ne jemi munduar që të ndryshojmë shërbimet me roje fizike me ato të monitorimit të alarmit dhe kamerave, megjithatë, vetëm një numër i vogël i bizneseve të cilat janë mbyllur kanë pranuar këtë ndryshim. Duke pasur parasysh se ata po kanë vështirësi që të paguajnë me kohë, ne po i “detyrojmë” ata që të bëjnë ndryshimin e këtyre shërbimeve.
– Po ashtu, dje, bizneset më të mëdhaja në Kosovë kishin takim me Odën Ekonomike të Kosovës për të diskutuar për shqetësimet tona dhe sygjerimet për t’iu kthyer punës, si dhe masat që duhet ndërmarrë. Gjatë këtij takimi, Presidenti I Odës Ekonomike tha që dëshiron t’i propozojë qeverisë që t’i përfshijë patrullat tona që të bëjnë punë policore në rrugë, nëse I shohin grupe të njerëzve me më shumë se 2 persona së bashku, duke mos respektuar distancën dhe duke mos iu përmbajtur masave mbrojtëse.
– Po ashtu, gjatë kësaj kohe e kemi shfrytëzuar rastin për të menduar për një ri-organizim sipas standardit ISO 9001, se çfarë duhet të ndryshojmë për të ofruar shërbime më të mira, më të shpejta, e kështu me radhë.

P4 – A është rritur kërkesa për produkte specifike të sigurisë, siç janë kamerat termale, kontrollet e çasjes pa kontakt apo me telefon mobil, GPS, nënshkrimet dixhitale, etj.

– Në përgjithësi ne jemi duke instaluar produkte të sigurisë, por në një masë më të vogël.
– Kërkesa për produkte të tilla është rritur padyshim, mirëpo, të gjitha tregjet vertikale po mundohen ti ulin shpenzimet. Prandaj, kur po iu dërgojmë çmimoret, shumica e tyre po i vonojnë apo po i shtyejnë vendimet. Megjithatë, unë besoj se pasi që të kthehemi në punë të gjithë, me shpenzimet për masat mbrojtëse, bizneset poashtu do të mendojnë përsëri për investime ekstra për përdorimin e kamerave termale me veçori speciale që kërkojnë për vendosjen e maskës, si dhe lajmërojnë në rast se dikush ka temperature të lartë.
– Kjo kërkesë e re e kamerave termale dhe kontrolluesëve të temperatures ka alarmuar agjencionin për mbrojtjen e të dhënave dhe privatësisë, pasi që veçoritë e detektimit të fytyrës dhe informacionit të skenuar ruhen nëpër biznese pa marrë një konfirmim të shkruar nga klientët, gjë që normalisht merr shumë kohë dhe kërkon organizim të madh dhe përfshirje të burimeve njerëzore.
– Përveç kësaj, jemi në dijeni që sulmet kibernetike janë rritur me të madhe dhe të gjithë ne po dëgjojmë apo kemi eksperienca. Informacioni dixhital sjell shumë beneficione për shoqërinë për të parandaluar përhapjen e virusit, mirëpo po ashtu është kërcënim për neve apo klientët tanë.

Për fund, siç kanë thënë Grekët e lashtë, së bashku me çdo krizë vijnë edhe mundësitë e reja. Prandaj, t’i shiqojmë këto mundësi për t’i riformësuar shërbimet tona dhe të jemi kreativë që të kalojmë këtë krizë pandemike dhe të bëhemi më të fortë se më herët. Siç është një thënie, cfarë nuk të mbyt, të bën më të forte.

Qëndroni pozitiv, qëndroni të shëndetshëm! Gjithë të mirat nga Kosova!

Faleminderit!